Folklori dhe detyra e saj - Forum
E Hënë, 12.05.2016, 5:21 AMMirësevini Guest | RSS
OraShqiptare
[ Mesazh i ri · Anëtarët · Regullat e forumit · Kërko · RSS ]
Page 1 of 11
Forum » Njohuri të përgjithshme ---> » Në përgjithësi me gjuhën shqipe » Folklori dhe detyra e saj (Puna e folkloristëve dhe folklori)
Folklori dhe detyra e saj
PapucjaData: E Diel, 09.12.2010, 1:30 AM | Mesazhi # 1
Lieutenant
Grupi: Administrators
Mesazhet: 67
Reputacioni: 0
Statusi: Offline
Folklori

Detyrë kryesore e folklorit dhe e folkloristikës është mbledhja dhe studimi i traditave popullore, duke nënkuptuar për traditë jo vetëm besimet dhe opinionin që ka populli i pakultivuar për faktet dhe dukuritë e universit, por edhe zakonet e përditshme, për ceremonitë e festave të ndryshme, si edhe manifestimet estetike të çfarëdo lloji.
Kur flasim për zanafillën e folklorit, duhet ta kemi të qartë se ai nuk lind vetëm, por së bashku me elemente të tjera me të cilat është i lidhur, kështu ai lind edhe me elemente që i përkasin etnografisë (zakone, ritet e ndryshme etj.), që i përkasin muzikës, valles etj.

Dhe i parë në këtë tërësi, si dukuri artistike dhe jetësore lidhur me jetën e njeriut primitiv, mund të themi se folklori është i vjetër sa vetë njeriu. Ai lindi si një nevojë e brendshme e këtij njeriu primitiv, në krye, jo si dukuri artistike e pastër, por si një fenomen që ishte i lidhur drejtpërdrejt me jetën e tij, me mbijetesën e tij, me sigurinë për jetën etj. Me një fjalë, e thënë ndryshe, njeriu primitiv, i pafuqishëm në mes të forcave të ndryshme të realitetit, duke e menduar botën të populluar nga shpirtra (faza e animizimit), nga shpirtra që ishin në të mirë të tij, që, së paku kështu i ngjante atij, e ndihmonin për të kapërcyer vështirësitë që ai haste në jetë, që e ruanin nga e keqja, rreziqet e jetës, e ruanin nga sëmundja, e ruanin nga thatësira, i falnin pjellori si atij ashtu edhe tokës, por edhe shpirtra që ishin të ligj, që, së paku kështu i ngjante atij, kishin ngritur pusi dhe donin ta goditnin nga çasti në çast, shpirtra ziliqarë e tekanjozë, që mund t'i dërgonin sëmundjet dhe vdekjen, mund të bënin që prodhimet të mos ishin të mbara, që gjahu të mos ishte i mbarë etj. Për t'u dalë përpara këtyre fatkeqësive, për të siguruar shëndet e pjellori si për vete ashtu edhe për natyrën, njeriu primitiv u mundua me anë të lutjeve dhe yshtjeve magjike, të bëjë për vete shpirtrat dhe të ruhet nga çdo e ligë. Pikërisht nga këto rite primitive fetare e magjike lindin krijimet e para folklorike. Një gjë e tillë mund të hetohet edhe sot në popujt primitive të Afrikës apo të Amerikës së Jugut, ku riti magjik është ende i gjallë dhe kryhet me anë krijimesh të vërteta folklorike. Nga ana tjetër, kjo mund të vërehet te mbeturinat e këtyre riteve magjike që kanë arritur gjer në ditët tona dhe që duhen pasur parasysh kur duam të shpjegojmë, edhe në folklorin tonë, shumë këngë të vjetra që na kanë mbetur si nga ritet e motmotit ashtu edhe në shumë këngë të lidhura me ritet e dasmës etj.
Nga këto që thamë, kuptohet se folklori lindi në gji të natyrës dhe mes njerëzve që jetonin në gji të natyrës, mes atyre që punonin tokën apo mbarështronin bagëtimë dhe jetonin me këto prodhime, pra lindi e u zhvillua në mes të fshatarëve. Më pas krijimet folklorike, edhe pse njeriu përparoi dhe shkenca bëri të vetën, duke lehtësuar jetën e punën e njeriut, nuk u shuan, ndonëse karakteri i tyre ritual e magjik erdhi përherë e me tepër duke u pakësuar në mos zhdukur fare. Në këtë fazë të dytë, në kohën e qytetërimit, krijimi folklorik është më shumë një vepër artistike se sa një veper rituale fetare. Kjo shpjegon, nga ana tjetër, jetëgjatësinë e folklorit, ruajtjen e tij deri në ditët tona, madje dhe gjallërinë e tij në mjaft aspekte, sidomos si mbështetës për artin e kultivuar. Dalngadalë lindën edhe njerëz që merreshin kryesisht me krijimin e këtyre këngëve popullore: të tillë mund të përmendim aedët, rapsodët, trubadurët, truverët, menestrelët etj. dke filluar nga Homeri e duke mbaruar deri te Osiani skoces e deri te rabsodët e këngëtarët tanë. Tashti folklori është një krijim artistik që kryen një funksion krejt tjetër nga ai i pari. Megjithatë shtresa e parë e folklorit (legjendat, këngët e riteve, përrallat, proverbat etj.) mbetet një relike e fosile të gjalla këto krijime ruhen e kalohen ende sot e kësaj dite nga një brez në tjetrin jo vetëm si vepra artistike, por edhe si elemente të qenësishme që flasin për origjinalitetin e një kombi, për identitetin kombëtar të një populli.

 
Forum » Njohuri të përgjithshme ---> » Në përgjithësi me gjuhën shqipe » Folklori dhe detyra e saj (Puna e folkloristëve dhe folklori)
Page 1 of 11
Search:

Powered by uCoz " Zef Lush Marku "