E Premte, 11.29.2024, 0:47 AMMirësevini Guest | RSS
OraShqiptare
[ Mesazh i ri · Anëtarët · Regullat e forumit · Kërko · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
Letërsia e Bejtexhinjve
PapucjaData: E Mërkurë, 09.15.2010, 8:40 PM | Mesazhi # 1
Lieutenant
Grupi: Administrators
Mesazhet: 67
Reputacioni: 0
Statusi: Offline
Hasan Zyku Kamberi

Nga përfaqsuesit më të shquar të letërsisë shqipe me alfabet arab është Hasan Zyko Kamberi. Tematika që trajtoi ai në vjershat laike, paraqet interes të veçantë, sepse i bëri jehonë gjendjes shpirtërore dhe pakënaqësisë së masave fshatare mbi të cilat rëndonte pesha e vuajtjeve dhe shfrytëzimi i egër feudal. Për jetën e H.Z.Kamberit dihet pak. Ishte nga fshati Starje i Kolonjës. Siç del nga ndonjë vjershë e tij, ka kaluar një jetë të varfër e të vështirë. Ka të ngjarë të ketë mësuar në ndonjë medrese. Më 1789 mori pjesë si mercenar në luftën turko-austriake mbi Danub. Në këtë fushatë jo vetëm që s'e rregulli dot gjendjen ekonomike, por edhe vuajti shumë, siç do e tregojë në vjershën "Seferi humajun„ (Lufta mbretërore). Vdiq në fillim të shekullit XIX. Nga krijimtaria e Hasan Zyko Kamberit njihen 50-60 vjersha lirike. Shkroi edhe poezi fetare.
Rëndësi të veçantë kanë poezitë e tij me temë laike.
Ndryshe nga bejtexhinj të tjerë, të cilët shpesh poetizuan zakone e mendësi të jetës orientale të qyteteve e të mjediseve feudale, H.Z.Kamberi në këto poezi pasqyroi jetën e fshatit shqiptar të shekullit të XVIII, vuajtjet, pasigurinë dhe pakënaqësinë e fshatarëve. Me nota realiste gjejmë në të edhe një frymë të theksuar kritike e mospajtimi me realitetin, gjejmë dhembjen e poetit për gjendjen e njerëzve, që s'u ecën fati.
Një nga vjershat me tipike është "Bahti im„ , ku autori shpreh pakënaqësinë ndaj jetës dhe ankohet për fatin(bahtin), që s'e ndihmoi për të marrë prona e pozita, siç ndodhi me disa të tjerë.

Zu Hasani e zihetë,
me baht e tij po prihetë,
vallë, ku rri e fshihetë,
që s'punon, more bahti im.

Edhe vjersha "Seferi humajun„ (Lufta mbretërore) shpreh po atë gjendje pakënaqësie e zhgënjimi. Vërtet kjo merr shkas nga përvoja e hidhur e vetë poetit në fushatën e vitit 1789, por, në të vërtetë, në të zë vend një shqetësim më i gjerë. Aty i bëhet jehonë pakënaqësisë së përgjithshme të vegjëlisë nga fushatat ushtarake të osmanëve, që njerëzve të thjeshtë u sillnin vetëm fatkeqësi dhe mjerim, kurse fitimet i përvetësonin feudalët e mëdhenj dhe komandantët ushtarakë.
Për jetën e varfër e të rëndë të vegjëlisë fshatare flet edhe vjersha "Trahani„. Duke e shkruar me ironi të hollë e humor therës për këtë gjellë të të varfërve, autori s'e fsheh dhembjen për mjerimin e tyre, për faktin brengosës se ishte lumturi kur arrinin të shuanin urinë me trahana.

Tetë muaj gjithë ç'janë
Që e zjejnë dhe e hanë
Fukarasë i mbanë hajanë(1)
Dritë kush gjeti trahanë

Notat e humorit, përzier me ankimin e poetit për fatin e të rinjve, përshkojnë edhe vjershën "Gjerdeku„. Në të cilën pasqyrohen çaste nga jeta dhe brengat e vajzave që janë gati për martesë e që s'e dinë ç'fat i pret, meqë i martojnë pa i pyetur. Por, veç kësaj, ato i mundon edhe varfëria, ashtu siç i detyron edhe djemtë të marrin rrugën e kurbetit për të siguruar të hollat e nevojshme për martesë. Gjejmë në të edhe përshkrime zakonesh të martesës, por më tepër shqetësimin e të rinjve dhe të autorit për fatin e tyre.

Cupatë po bëjnë fiqiri(2)
"Vallë, ku e kemi takdir(3)?„
I martojnë me pahir
Se umur(4) ndë dorë s'kanë. Edhe në vjersha të tjera, si "Gratë e va„ , "Hasani bën shiqojet„(ankohet), "Vasijetnameja„(Testamenti) H.Z.Kamberi vë gishtin në plagë të ndryshme të shoqërisë së atëhershme.
Por poezia e tij më e fuqishme, ku prirja realiste e fryma kritike kanë gjetur shprehjen më të plotë është "Paraja„ ,
ajo është një satirë e fuqishme e gjithë sistemit politik feudal, e korruptimit të tij të gjithanshëm, madje edhe vlera e njeriut matet jo me cilësinë e virtytet e tij, por me paratë që ka.
Këto ide poeti is hfaq nëpërmjet ironisë e sarkazmës therëse, që godasin pa mëshirë gjithë piramidën shtetërore e shoqërore, që nga mbreti e veziri e gjer tek nënpunësi më i thjeshtë.

Mbreti q'urdhëron dynjanë,
që ka vënë taraphanë(5)
e i presënë paranë,
ia di kimenë parasë.

Poeti nuk kursen as autoritetet më të larta të fesë. Me sarkazëm të guximshëm ai zbulon se prapa shenjtërisë së tyre të shtirur fshihet një shpirt i pangopur fitimi, që i shtyn të bëjnë padrejtësi më të mëdha; e kanë ujdisur me djallin, siç shprehet poeti.
Patosi satirizues e demaskues zgjerohet edhe më tej, kur poeti zbulon se në atë shoqëri të shthurrur nuk ekzistonte as drejtësia më e vogël, se njerëzit e ligjit, kadilerët, e shtrembëronin këtë në mënyrën më të paturpshme, vetëm për të shtënë në dorë sa më shumë para.

Kadiu, t'i rrëfesh paranë,
ters e vërtit sherihanë(6),
për para ç'e shet t'anë,
ia di kimenë parasë.

Funksion të dukshëm ideoartistik ka vargu "ia di kimenë parasë„. Që përsëritet si refren në fund të çdo strofe. Ai përforcon idenë se në atë shoqëri ku merret nëpër këmbë çdo virtyt, ku njerëzit robotizohen e vuajnë, paraja është epiqendra e jetës. Vjersha tingëllon si një satirë e fortë që shpreh zemërimin e fshatarësisë shqiptare kundër shfrytëzimit të saj në kushtet e sistemit feudal në shuarje e sipër. Kuptohet që protesta e poetit është spontane, nuk shkon larg dhe ai shpesh bie në fatalizëm.
Vjershat laike të H.Z.Kamberit patën përhapje të gjerë në popull, se ato prekën plagë shoqërore të kohës. Veç kësaj gjuha e tyre është më e pastër se e poetëve të tjerë bejtexhinj. Vargu që përdor, është tetërrokshi i poezisë popullore.
H.Z.Kamberi qe poet i talentuar. Krijimet e tij i njihnin dhe i çmonin edhe rilindësit: Naimi, Samiu, Vretoja. Naimi shkruante: "Në mes të vjershëtorëve të Shqipërisë ka zënë kryen Hasani i Zyko Kamberit„.
Me poezinë e H.Z.Kamberit, Z.Bastarit e ndonje tjetri duken shenjat e para të realizmit në poezinë shqiptare…

SHPJEGUES
1- Jetën (shpirtin)
2- Mendohen, vrasin mendjen
3- Ku është thënë për ne
4- Jetë
5- Institucioni që pret monedhën
6- Ligjin, gjyqin

 
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Powered by uCoz " Zef Lush Marku "