E Premte, 03.29.2024, 4:59 PMMirësevini Guest | RSS
OraShqiptare
[ Mesazh i ri · Anëtarët · Regullat e forumit · Kërko · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
Forum » Gjuha Shqipe ---< Letërsi ---> » Letërsia e Pavarësisë » Mit'hat Frashëri (Lumë Skendo)
Mit'hat Frashëri
PapucjaData: E Hënë, 11.01.2010, 6:02 PM | Mesazhi # 1
Lieutenant
Grupi: Administrators
Mesazhet: 67
Reputacioni: 0
Statusi: Offline
Midhat bej Frashëri


Midhat bej Frashëri, ishte vetëm 49 vjeç në vitin 1929 kur në testamentin e tij ia la gjithë çfarë kishte Shqipërisë. "Në shëndet trupor të plotë, po bënj këtë testament...", e nis testamentin e tij shkrimtari dhe politikani, që vdiq në vitin 1949 në mënyrë të menjëhershme nga një atak kardiak. Ndërkohë testamenti ishte depozituar që 20 vjet më parë, në 4 mars të vitit 1929 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Gazeta "Tirana Observer" ka siguruar testamentin e plotë të Midhat Frashërit, shkruar 78 vjet më parë. "Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin' e një "INSTITUT ALBANOLOGJIE" që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë", shkruante pinjolli i Frashërllinjve, duke detajuar çdo dëshirë të tij, në dokumentin që do vlerësohej vetëm pas vdekjes së tij.

Testamenti

Në kohën kur Frashëri e shkroi testamentin, ai e kishte deklaruar largimin nga politika. Ishte marsi i vitit 1929, një kohë kur ai merrej me botimin e revistës "Dituria". Në 12 pika të testamentit ai shpjegon të gjitha dëshirat e tij, të cilat kryesisht lidhen me krijimin e "Insitutit të Albanologjisë". "Që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë", shkruan patrioti shqiptar. Në të gjitha pikat e hartuara nga Frashëri, sqarohet krijimi dhe funksionimi i këtij insituti, si dhe menaxhimi i të ardhurave të lëna nga ai. Një nga pikat kryesore të testamentit është edhe biblioteka e tij, e cila sipas të dhënave arrin mbi 40 mijë vëllime. "Dua që nga biblioteka private ime të mos çkëputetë gjë; të gjitha librat të rrinë tok", shprehet patrioti i njohur.

Amaneti për varrin

Një ndër pikat më personale të Midhat Frashërit dhe e fundit nga renditja në testamentin e tij, është edhe dëshira për t'u varrosur në një cep të kopshtit të "Institutit e Albanologjisë", të cilin ai donte të krijonte me pasurinë e tij. "Do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhenjë qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i INSTITUTIT, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij", shkruan Frashëri. Edhe pse ai u detyrua të largohej nga Shqipëria pas vendosjes së regjimit komunist, Frashëri nuk e ndryshoi testamentin e tij që ia kishte lënë Shqipërisë.

Testamenti i Midhat Frashërit

Unë, Midhat Frashëri, në shëndet trupor të plotë, po bënj këtë testament, duke ushqyerë shpëresën se pas vdekjes' s'ime do të ekzekutohet pikërisht vullneti që dëftenj këtu:
1) Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin' e një "INSTITUT ALBANOLOGJIE" që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.
2) Dua që nga biblioteka private ime të mos çkëputetë gjë; të gjitha librat të rrinë tok.
3) Gjithë sa më kanë mbeturë nga im atë dhe nga ungjërit, dhe që sot formojnë muzenë t'ime familiare, dëshëronj që të ruhenë prapë në formë të një muzeje të vogëlë, brënda në INSTITUT.
4) Në paça të holla, në shtëpi, më no një bankë ose hua për të mbledhurë, duke u bashkuarë me sumën që do mirret nga shitja e Librarisë, dua që të përdorenë të gjitha së bashku.
A) për të bërë spenximet e parë e një godije (shtëpie) e cila të shërbejë si INSTITUT ALBANOLOGJIE, një godi e mjaftë për të nxënë bibliotekënë dhe për zyrratë. Dëshira ime është që kjo shtëpi të jetë mjaft' e gjerë sa për të pasur një ose dy oda ku të mundin të bujtin dhe të rrinë musafirë studimtarët albanologë të huaj që vijnë së jashtmi.
B ) Në qoftë se, në vdekjet t'ime, kam mundurë të godit vetë no një shtëpi, INSTITUTI do të installohetë atje. Atëherë të hollat e produktuara, si them më siprë, dotë vihenë në një bankë të sigurtë dhe interesi i tyre, do të përdoretë për qëllimin e INSTITUTIT, sidomos për të shtypurë libra ose për të enkurajuarë botimin e tyre.
5) Librarija ime dëshëronj që të shitet ashtu si është, e tërë bashkë, jo copa copa, dhe, në qoftë e mundurë, të mbanjë emërin që i kam dhënë unë.
6) Libravet të INSTITUTIT t'u vihetë vula ime "Biblioteka Lumo Skëndo 1897" dhe t'u ngjitetë Ex-libris. Vula do të gjendetë në tryezën' t'ime, në shtëpi, e gatijtë, kur se ex-libris është vetëm një skicë bërë prej Hyshref Frashërit.
7) INSTITUTI do të jetë nënë këqyrjen e një Komisioni, bërë prej:
a) Drejtorit të Bibliotekës dhe Muzes' së Shtetit në Tiranë, (Bibliotekë dhe Muze Kombëtare);
b) Kryetarit të Bashkis' së Tiranësë;
c) Një funksionari të Ministris' s'Arsimit
d) Kryetarit të Diktimit Civil;
e) Drejtorit të institutit arsimor shqipëtar më të lartë të Tiranësë.
8) Për të zbatuarë testamentin t'im dhe për të ngrehurit e INSTITUTIT lë si të ngarkkuarë prej meje këta Zotërinj: Niazi Tirana, Sotir Kolea, Dimitri Berati, Mehdi Frashëri dhe Edhem Fuad Frashëri. Zotit Niazi Tirana i ap barrënë që të kujdesetë edhe si një notabl i Kryeqytetitë.
9) Në qoftë se një prej këtyre zotërinjve gjendet absent, për një ose tjatrë shkak, në kohët të vdekjes' s'ime, atëherë do të zërë vëndin e tij, ose të tyre, Athanas Shundi, farmacist në Tiranë dhe Hasan Toptani, biri i Kurad Toptanit; me të mos ndodhurë më tepër se dy, ata që gjendenë janë të ngarkuarë të zgjedhin aqë anëtarë sa mungojnë prej numurit që shënonj unë.
10) Ngarkonj prapë Baban e Teqes' së Frashërit, Kryetarin e Bashkis' së Frashërit dhe më plakun nga anëtarët e Bashkis' së Frashërit, të kenë mirësinë dhe të kujdesenë për mbarimin' e dëshirës' s'ime që shtronj në këtë testament, do në fillesë të punësë, do edhe çdo mot duke kërkuarë që të botohen edhe çdo mot, duke kërkuarë që të botohetë veprimi dhe bilançoja e INSTITUTIT.
11) Ushqenj besimin e plotë se kjo dëshirë ime do të zbatohetë besnikërisht prej pasanikëvet të mij ndë gjithë shekujt që do të vijnë, dhe lutja ime drejtuarë fuqis' së madhe që tani s'e kuptojmë dot, do të jetë të kenë gjithë Shqiptarët idealin e përparimit dhe të naltësimit të Kombit, që Shqiptarizma të bëhetë një dëhsirë dhe një konviktim i thellë, dhe që çdokush të kupëtojë se e mira e Kombit është dhe e mira jonë private, se nderi dhe lavdi i Shqipëtarëvet të gjithë, është edhe nderi dhe lavdi ynë personal.
12) Nuk di se ku do të vendoset INSTITUTI; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhenjë qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i INSTITUTIT, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij.
Me këto dëshira dhe shpëresa po e nënëshkruaj me dorën t'ime këtë testament.
Midhat Frashëri
Lumë Skendo

Këtë testament e kam depozituarë ndë Notarijën e ' Gjyqit të Shkallëq ' së Parë të Tiranësë, me datë 4 Mars 1929 dhe me numurë 163.
Kopje të këtij testamenti u kam dorëzuarë Zotërinjvet:
Niazi Tirana, Sotir Kolea, Dimitri Berati, Edhem Fuad Frashëri si dhe Babajt të Teqesë së Frashërit.
___________________________

Historia e jetës së Mid’hat Frashërit
Kush ishte eruditi i panjohur Lumo Skëndo
Shkruan: Dorina TOPOLLAJ
Portreti i babait të tij, rilindësit Abdyl Frashëri, varej në muret e shkollave në Shqipëri, ndërsa ai, i biri konsiderohej armik i popullit. Historia e Midhat Frashërit, i njohur më tepër me pseudonimin e tij Lumo Skëndo, është një nga paradokset e shumta të shoqërisë shqiptare gjatë regjimit komunist. I detyruar të largohet nga Shqipëria në vitin 1944, si kundërshtar i Partisë Komuniste, Midhat Frashëri vdiq në 3 tetor të vitit 1949 në Nju Jork të Amerikës. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, veprimtaria dhe jeta e tij u la në harresë të plotë. Kreu i Kongresit të Manastirit, ministër në qeverinë e Ismail Qemalit, Ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në vitet '23-'25 në Athinë, e më pas një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, Midhat Frashëri, nuk u bë pjesë e asnjë kurikule shkollore në Shqipëri gjatë regjimit komunist.

Kush ishte Midhat Frashëri ?

Midhat Frashëri u lind në Janinë, më 25 mars të vitit 1880, dhe vdiq në 3 tetor 1949 në New York, SHBA. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit. Ai e njohu shumë pak babanë e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Në fund të shekullit të XIX, Mit'hat Frashëri angazhohet edhe në politikën shqiptare. Shumë shpejt ai u bë një nga figurat më të spikatura të politikës shqiptare në mesin e shekullit të XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës "Liria" në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunon ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën/shtëpinë botuese "Mbrothësia". Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i Alfabetit më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit'hat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i Komisionit ishte At Gjergj Fishta). Në moshën 32-vjeçare largohet përfundimisht nga Stambolli dhe udhëton për në Shqipëri, duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan.

Midhat Frashëri politikan

Në vitin 1912, në Qeverinë e Pavarësisë të krijuar nga Ismail Qemali ai zgjidhet ministër i Botores. Më 30 mars 1913, ai jep dorëheqjen nga detyra. Ai mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmon në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ Vidit, Mit'hat Frashëri largohet nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jeton në disa shtete të Ballkanit. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht, ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset në Lozanë, Zvicër. Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorie ai deklaron: "Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan". Në vitin 1920 ai vendoset në SHBA. Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 fillon detyrën e ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri, ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik. Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, vendos t'i rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944 të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, SHBA, më 3 tetor 1949, ai vdes si pasojë e një ataku kardiak.

Veprimtaria letrare

Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte "Kalendarin Kombiar", të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901 botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani. Por Mit'hat Frashëri njihet edhe si një nga njerëzit që kishte një nga biblotekat më të mëdha. Mbas çlirimit të Shqipërisë u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mit'hat Bej Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e tij. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosen që çmimi për bibliofilinë të emërtohet "Bibliofili Lumo Skëndo". Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha më 23 prill 2006.

Ka thënë Midhat Frashëri:

Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të
jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit,
njësia dhe bashkimi i kombit,
lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.

(Marrë nga "Plagët tona: Ç'na mungon?
Ç'duhet të kemi? Botuar në vitin 1916)

Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

(Marrë nga "Gazetarëve"
botuar në vitin 1926)

Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

Marrë nga "Rilindja shqiptare"
shkruar në 1919

Jeteshkrimi :
Emri: Mid'hat
Mbiemri: Frashëri
Datëlindja: 25 mars 1880
Vendlindja: Janinë
Atësia: Abdyl Frashëri
Arsimimi:
Akademia e lartë në Stamboll, Turqi
Aktiviteti:
Më 14-22 nëntor të vitit 1908 zgjidhet kryetar i Kongresit të Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i Alfabetit. Në qeverinë e Ismail Qemalit në vitin 1912 zgjidhet ministër i Punëve Botore. Në vitin 1923 ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Athinë. Në vitin 1941 gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia ai themelon Partinë Balli Kombëtar.

 
Forum » Gjuha Shqipe ---< Letërsi ---> » Letërsia e Pavarësisë » Mit'hat Frashëri (Lumë Skendo)
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Powered by uCoz " Zef Lush Marku "