E Hënë, 11.25.2024, 6:56 AMMirësevini Guest | RSS
OraShqiptare
[ Mesazh i ri · Anëtarët · Regullat e forumit · Kërko · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
Letërsia e Moderne në Shqipëri
PapucjaData: E Martë, 09.14.2010, 0:26 AM | Mesazhi # 1
Lieutenant
Grupi: Administrators
Mesazhet: 67
Reputacioni: 0
Statusi: Offline
Shqipëria

Në fushën e kulturës në përgjithësi dhe në atë të letërsisë në veçanti, gati për gjysmë shekulli, u ndie e ashpër dhuna e shtetit diktatorial ndaj intelektualëve që e kundërshtuan me forcë atë, qoftë nëpërmjet deklaratave apo artikujve në shtyp, qoftë dhe nëpërmjet veprave
të tyre. Kështu prej çensurës shtetërore e pësuan shumë rëndë mjaft njerëz të letrave, të cilët ose u pushkatuan, ose qëndruan me vite të tëra në burg apo mundën të arratisen dhe ta kalojnë tërë jetën e tyre jashtë atdheut. Të tillë janë: Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Musine Kokalari, Trifon Xhagjika, Bilal Xhaferi, Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Astrit Delvina, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti etj.

Sejfulla Malëshova (1900 - 1971), i njohur me emrin letrar Lame Kodra, është nga personalitetet e para disidente në kulturën shqiptare të Pasluftës. Shumica e poezive të Lame Kodrës janë botuar në vëlllmin Vjersha (Tiranë, 1945), ku ai e quan veten poeti rebel. Sipas Malëshovës, Shqipërisë i duhej integrimi kulturor dhe jo izolimi nga Evropa Perëndimore. Ai thoshte se detyra e intelektualëve shqiptarë: Eshtë që të vendosin lidhje të ngushta kulturale me popujt e Ballkanit, me Bashkimin Sovjetik, me Anglinë, Amerikën dhe me gjithë botën demokratike e progresive.
Në vitin 1953, me një guxim të hapur intelektual, Kasëm Trebeshina (1926) i dërgoi një "promemorie" Enver Hoxhës, duke e paralajmëruar se: ... shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Shpërblimi për guximin e tij ishin tërë ato vjet burgimesh e persekutimesh dhe ndalimi i botimit të veprave të tíj. Edhe pse vepra e tij nuk është botuar e plotë, nga kritika serioze Trebeshina ka vlerësime nga më të lartat.

Ndërkaq, në vitet '60 botohet në Tiranë romani Shkrimtari i Mehmet Myftiut (1930), i cili merret me fatin e artistit në diktaturë. Ky roman është ndër veprat e para disidente në vendet e Lindjes. Ai denoncoi hetuesinë, internimet dhe burgjet komuniste dhe rifuti në letërsi tema dhe personazhe tabu, që i kishte përjashtuar letërsia zyrtare e kohës.
Po në vitet '60, me përmbledhjen e tij të parë me tregime Njerëz të rinj, tokë e lashtë, Bilal Xhaferi (1935-1987) solli një lirizëm të ngrohtë dhe tepër human në letërsinë shqiptare. Ai rishfaqi personazhin e punëtorit me virtytet dhe dobësitë njerëzore, duke iu kundërvënë punëtorit të trajtuar bardhë e zi në letërsinë skematike. Ndërsa vëllimi i tij Lirishta e kuqe u ndalua dhe u hoq nga qarkullimi.
Pati dhe shkrimtarë të tjerë që talenti i tyre u ndërpre në mes dhe ata madje as nuk arritën të botojnë deri para viteve '90 veprat e tyre, si: Astrit Delvina (1920 - 1990), një vëllim i tij me tregime "Ëndrra me ngjyra" u botua në vitin 1996; Pjetër Arbnori (1930), disa novela dhe romane të tij janë botuar pas viteve '90.
Vëllimi poetik i Trifon Xhagjikës (1932 - 1963) Atdheu është lakuriq që u botua më 1994, ilustron në mënyrë bindëse jo vetëm evoluimin e tij drejt një koncepti të ri estetik, duke u shkëputur nga realizmi socialist, por ai bën një kthesë të vërtetë në bindjet dhe ndjesitë e tij artistike. Në vjershën me titull "Apoteza e ditëve tona" autori e vizaton me ngjyra dramatike gjendjen e dyzimit të individit dhe të shoqërisë shqiptare.
Ndërsa Zef Zorba (1920 - 1993) me librin e tij të botuar mbas vdekjes "Buzë të ngrira në gaz" (1994), dëshmon se ështe një poet hermetik, me forma poetike të panjohura në poezinë shqipe. Poezia e tij është shenjë e një tjetër kohe, e kohës universale që nuk e nxinin përmasat e kohës kur ai jetoi.
I lirë të botojë pas viteve '90 është dhe poeti Visar Zhiti (1952), i cili në disa nga vëllimet e tij me poezi (Hedh një kafkë te këmbët tuaja - libri i burgut, Mbjellia e vetëtimave etj.) arrin të reflektojë në një mënyrë tejet të ndjeshme raportin ndërmjet tragjikes individuale dhe asaj kolektive dhe të rrezatojë dashuri e paqe në realitetin më tronditës.
Por përveç këtyre shkrimtarëve që e pësuan me internime apo burgje, çensura shtetërore do të binte dhe mbi veprat e shkrimtarëve të tjerë, paçka se ata kishin mundur të krijonin popullaritet në masën e madhe të lexuesve dhe në një farë mënyre e kishin fituar një status mbrojtës. Kështu vepra e tyre ose ndalohej fare ose detyrohej shkrimtari ta ripunonte atë përsëri. Kështu ndodhi me disa vepra të Ismail Kadaresë, Dhimitër Xhuvanit, Fatos Arapit, Qamil Buxhelit, Naum Priftit, Dritëro Agollit, Xhevahir Spahiut, Koço Kosta etj.

 
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Powered by uCoz " Zef Lush Marku "