E Hënë, 11.25.2024, 6:52 AMMirësevini Guest | RSS
OraShqiptare
[ Mesazh i ri · Anëtarët · Regullat e forumit · Kërko · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
Proza e Migjenit
PapucjaData: E Diel, 10.17.2010, 2:17 AM | Mesazhi # 1
Lieutenant
Grupi: Administrators
Mesazhet: 67
Reputacioni: 0
Statusi: Offline
Proza e Migjenit

Problematika, që trajtoi Migjeni në tregimet e në skicat, ishte ajo që trajtohej në publiçistikën dhe në prozën përparimtare të kohës. Ndryshimi qëndron në zbërthimet e thella dhe përgjithësimet e mëdha të Migjenit, në krijimet me një nivel shumë të lartë artistik. Me Migjenin tregimi i realizmit kritik shqiptar njohu kulmin e tij. Tregimet "A don qymyr zotni?", "Studenti në shtëpi", "Të çelën arkapijat", "Historia e njenës nga ato", "Qershijat", "Bukën tonë të përditshme falna sot", në të cilat pasqyrohet jeta e fshatit dhe qytetit shqiptar në problemet më thelbësore dhe dramatike të saj, qëndrojnë përkrah poezisë së tij më të mirë. Migjeni është krijuesi i vetëm i letërsisë sonë të së kaluarës që u shfaq me të njëjtën forcë artistike si në poezi ashtu edhe në prozën e shkurtër. Me tregimin e tij në letërsinë shqiptare motivohet për herë të parë plotësisht në art problemi i shkatërrimit të personalitetit të njeriut në kushtet e një shoqërie despotike. Në tregimet e skicat, ashtu si edhe në poezitë e tij rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore kushtëzohet nga jeta materiale, se vlerat shpirtërore e morale shkatërrohen në kushtet e mjerimit e vuajtjeve të shumta të jetës së shtresave të varfëra. Me dhembje e revoltë ai tregon se si dinjiteti legjendar i malësorit, nderi i malësores, dhe i qytetares së varfër kanë marrë fund në luftën për ekzistencë në vështirësinë për t'i siguruar fëmijës një copë bukë a për ta shpëtuar nga vdekja.
Në krijimtarinë e tij Migjeni shprehu bindjen se përderisa të mos përmbyseshin idhujt e jetës së vjetër, gjithçka, në jetën e qytetit dhe të fshatit do të mbetej në gjendjen ekzistuese, në mjerim dhe varfëri. Në prozën e tij mjerimi, uria, konservatorizmi, patriarkalizmi, degjenerimi, kanë një burim: shtypjen dhe shfrytëzimin, që mbrohen me ligj nga rendi në fuqi. Ky qëndrim ndaj realitetit, i cili ishte një kundërvënie edhe ndaj krijimeve të autorëve konservatorë, jepet nëpërmjet një konflikti të fuqishëm, dramatik. Në këtë prozë kemi një ekuilibrim ndërmjet shpërthimit lirik të emocioneve dhe veprimit dramatik e përdorimit mjeshtëror të fjalës. Ai shkroi me dashuri e pikëllim për ata njerëz, që e shkonin jetën në kthetrat e mjerimit, kurse për shkaktarët e vërtetë të kësaj gjendjeje ai derdhi urrejtjen dhe përbuzjen. Migjeni e trajtoi vesin në prozën e tij si dukuri të një jete që brehej nga kontradiktat e thella dhe jo mbi bazën e instiktit, ndaj ai arriti të sjellë në letërsinë tonë përgjithësime të rëndësishme ideoartistike.
Personazhi i prozës së Migjenit është punëtori i papunë, malësori që i ka harruar hynitë e tij dhe i përgjërohet kokrrës së misrit, nëna që mallëkon pjellën e vet e që detyrohet të shesë vetvehten, e reja dhe i riu të cilëve jeta patriarkale, me ligje e norma mesjetare, u than ndjenjat, shpresat dhe ëndrrat rinore. Në tregimin e tij Migjeni trajtoi problemet më të rëndësishme të kohës dhe u bë shprehës i kontradiktave të saj.
Personazhet e tij janë tipizme të plota të një shtrese të caktuar të shoqërisë së kohës. Ai nuk i përshkruan ato, por i krijon me anë të zbërthimeve të thella psikologjike, nëpërmjet detajeve. Personazheve të tilla si malësorja ("A don qymyr zotni"), Nushi dhe Agla ("Studenti në shtëpi"), ose Bakalli ("Të çelen arkapijet") e Kola ("Bukën tonë të përditshme falna sot"), janë dhënë me forcë të rrallë artistike.
Pjesën më të madhe të krijimtarisë në prozë të Migjenit e zënë skica dhe fejtoni. Në këto krijime të rëndësishme realiteti është pasqyruar me shumë larmi dhe mjeshtëri artistike. Në prozën satirike të tij Migjeni herë kalon në trajtim konkret të problemit të mjerimit, papunësisë, të mohimit të mëshirës kristiane e artit për art. ( Një refren i qytetit tim, Mollë e ndalueme, Në kishë, Luli i vocërr, Zoti të dhashtë, Programi i një reviste, Legjenda e misrit, Bukuria që vret, etj.), herë në trajtim të përgjithshëm në formën e një eseje filozofike të problemeve të dinjitetit të njeriut, të së ardhmes së vendit, të ushtrimit të dhunës për të mposhtur personalitetin e njeriut të thjeshtë etj, (Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun, Ne me Krishtin, Përrallë abisine, Gjysëm ose italian, Mësim gjeografie etj.
Në veprën e tij jeta paraqitet lakuriq, me gjithë shëmtimin e saj dhe ai gjithnjë depërton me art në kuptimin e kësaj të vërtete. Në skicat migjeniane ka një galeri të tërë portretesh. Shumë autorë të brezit të tij e trajtuan me mjeshtëri skicën dhe prozën satirike, por tek asnjë ajo nuk është aq unike dhe origjinale, e thellë e artistike sa te Migjeni. Në prozën e tij Migjeni e mohon realitetin e kohës, gjithçka të keqe, pa mohuar mundësinë e përmirësimit të saj. Ai mohon shfrytëzimin, luftën imperialiste, konceptin patriarkal, vesin, shfrytëzimin e njeriut, po jo njeriun, mohon deri në fund anët e shëmtuara të jetës, por jo jetën. Mohimi i tij nuk ushqen pesimizmin, cinizmin, depresionin, prandaj krijimtaria e tij mbetet gjithmonë e re. Tregimi i tij karakterizohet nga sinteza e mendimit, shqetësimi qytetar dhe psikologjia e thellë e personazheve. Kurse te skicat ku ka pasuri motivesh, Migjeni e shtjellon idenë me anë të të një monologu dramatik të fuqishëm, i cili nis gjithnjë me ironi dhe përfundon me sarkazëm dhe revoltë. Ky monolog u përdor edhe nga autorë të tjerë të viteve '30, sidomos Nonda Bulka, po te Migjeni ai është më i natyrshëm e më i thellë.
Në krijimtarinë e Migjenit kufijtë midis skicës e tregimit shpesh humbasin. Forma origjinale e mendimit të tij, ironia e sarkazma therëse e sidomos monologu dramatik, bëhen te skicat shprehëse të konflikteve të rëndësishme shoqërore e politike të kohës. Prandaj mjaft nga skicat, ku ka edhe portrete të realizuara, është vështirë t'i dallosh nga tregimi.
Duke krahasuar tregimet e Kutelit, Koliqit, me ato të Migjenit, shohim se i pari ka njëfarë adhurimi mistik për të kaluarën, shpreh pakënaqësinë për realitetin ekzistues dhe beson se e ardhmja do të sjellë diçka të mirë, i dyti nuk i kundërvihet realitetit, por përpiqet ta riparojë atë dhe të harmonizohet aty, kurse Migjeni e mohon të kaluarën dhe të tashmen në emër të së ardhmes, të cilën kërkon t'ia rrëmbejë me forcë kohës.
Tregimi i Migjenit është satira e mprehtë e një poeti, që shpërthen me një protestë nga më të fuqishmet e letërsisë sonë të traditës. Ndaj, ndërsa Kuteli është një prozator i shquar, i talentuar i thellë, e Koliqi një prozator i kulturuar, Migjeni është novator. Ai vështroi thellë në shoqërinë e kohës dhe pasqyroi atë, duke e gjykuar dhe dënuar rreptë, në emër të një të ardhmeje më të bukur, pavarësisht se ajo na shfaqet e turbullt e simbolike. Migjeni në prozë na shfaqet si shkrimtar i formuar i realizmit kritik. Me krijimet e Migjenit, për herë të parë në prozë shohim thelbin tragjik të botës shqiptare dhe tregimi shqiptar arriti nivelin ideoartistik dhe shumllojshmërinë problematike të poezisë sonë. Tregimi i tij, bashkë me atë të Kutelit, shënojnë një periudhë pjekurie të letërsisë sonë, sepse individi filloi të vështrohej gjithnjë e më gjerë në një raport të përcaktuar me jetën politiko-shoqërore.

 
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Powered by uCoz " Zef Lush Marku "