E Premte, 11.29.2024, 1:03 AMMirësevini Guest | RSS
OraShqiptare
[ Mesazh i ri · Anëtarët · Regullat e forumit · Kërko · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
Letërsia e Moderne në Diasporë
PapucjaData: E Martë, 09.14.2010, 0:24 AM | Mesazhi # 1
Lieutenant
Grupi: Administrators
Mesazhet: 67
Reputacioni: 0
Statusi: Offline
Diaspora

Edhe pse e zhvilluar në kushte të një izolimi gjeografik e ideologjik, fati dhe perspektiva e letërsisë bashkëkohore shqiptare duhet vështruar në një kontekst dhe më të gjerë gjeografik, d.m.th dhe përtej kornizës ngushtësisht nacionale. Pavarësisht nga zhvillimet brenda Republikës së Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, kjo letërsi pati dhe njohu zhvillime dhe në diasporë. Sa i takon zhvillimeve të saj në diasporë, letërsia shqiptare mund të shikohet gjeografikisht brenda dy vatrave:
Vatra historike e diasporës shqiptare: Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi etj.
Vatra të reja të diasporës shqiptare: Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj.

a. Zhvillimet më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqiptare në diasporë ndodhën në Itali, aty ku sot e kësaj dite jetojnë rreth 90.000 arbëreshë, që vazhdojnë të flasin shqipen. Në përgjithësi mund të thuhet se një "rilindje" e letërsisë arbëreshe ndodhi diku rreth fundit të viteve '50, kur dhe nisi të botohej revista "Shejzat" nga Ernest Koliqi në Romë e më pas revistat "Zgjimi", "Katundi ynë", "Zjarri", "Zëri i Arbëreshëvet", "Lidhja", "Bota shqiptare" etj. Këto revista ndikuan në krijimin dhe publikimin e një brezi poetësh e shkrimtarësh që shkruan në arbërisht. Veç të tjerash, një pjesë e tyre funksionoi dhe funksionon dhe si shtëpi botuese, duke publikuar kolana të tëra me poezi dhe vepra të tjera letrare.
Ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të kësaj vatre duhen përmendur:
Françesk Solano (1914), i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo, i lindur në Kozencë. Pas një periudhe të gjatë qëndrimi në Argjentinë, Uruguai dhe Kili, ku dhe shugurohet prift, Solano kthehet në vendlindje. Aktiv në shumë fusha të letrave, ai është kryesisht poet, prozator dhe dramaturg. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë: Burbuqe t'egra, 1946, Shkretëtira prej gurit, dramë, 1974, Tregimet e Lëmit, etj.
Domenico Bellizzi (1931), prift nga Frasnita, i njohur me pseudonimin Vorea Ujko, është një ndër trashëgimtarët më të denjë të Jeronim De Radës e Zef Serembes. Ai me poezinë e tij arriti nivele të spikatura të ligjërimit poetik, veçanërisht me veprat: Zgjimet e gjakut, Këngë arbëreshe, 1982, Hapma derën zonja mëmë, 1990 etj.
Karmell Kandreva (1931), poet, bartës i identitetit kombëtar me anë të një ligjërimi poetik origjinal si dhe luftëtar i angazhimit social të arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës origjinale, ka shkruar triologjinë poetike: Shpirti i arbërit rron; Shpirti i arbërit rron. Arbëreshi tregon; Shpirti i arbërit rron. Vuan dega e hershme.
Zef Skiro Di Maxhio (1944), poet, përkthyes dhe dramaturg i shquar. I angazhuar edhe si drejtor i revistës "Bota shqiptare", i shquar për tonin e tij ironik e shpesh sarkastik, ai është autor i rreth dhjetë librave poetikë, ndër të cilat vlen të përmenden: Nëpër udhat e parrajsit shqipëtarë e t'arbreshë. Poemë gjysmëserioze arbëreshe, Orëmira, Për tokën fisnike të Horës etj.
Padyshim që letërsia arbëreshe vazhdon jetën me të tjerë shkrimtarë, shumica syresh të rinj, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm jo vetëm në diversitetin kulturor shqiptar, por edhe atë italian.
Një tjetër vatër e rëndësishme historike, ku kanë lulëzuar shkrimet shqipe që në fundin e shekullit XIX dhe ku jeta kulturore e elementëve shqiptarë ka qenë e organizuar më së miri, është Ru-mania. Një ndër personazhet më të rëndësishëm të letrave bashkëkohore shqiptare është Viktor Eftimiu (1889 - 1972) , autor i rreth njëqind vëllimeve letrare të shkruara në rumanisht. Mjaft prej veprave dramatike të tij janë ndërtuar mbi bazën e motiveve shqiptare e të fëmijërisë së tij në malet e vendlindjes.
Po aq e rëndësishme sa dhe Rumania në pikëpamje të jetës kulturore shqiptare mbetet edhe Bullgaria, ku janë njohur organizime të hershme të komunitetit shqiptar. Një figurë që vlen të merret në konsideratë nga njerëzit e letrave shqipe, është Thoma Kaçori, i cili shkroi në shqip disa romane e libra me tregime.

b. Në vatrat e reja të zhvillimít të letërsisë bashkëkohore shqiptare hyjnë ato vende në të cilat emigruan për motive kryesisht politike një pjesë e shkrimtarëve të talentuar shqiptarë, që duke mos u pajtuar me diktaturën dhe duke ndjerë etjen për liri, realizuan në periudha të ndryshme të regjimit komunist eksodet e sforcuara.
Një nga shkrimtarët e diasporës me peshë më të madhe që jetoi e krijoi në Gjermani, është Martin Camaj (1925 - 1992). Vepra e tij hyn në fondin më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi veprimtarinë më të madhe studimore e letrare Arshi Pipa (1920- 1997), një ndër punëtorët më të mëdhenj të letrave shqipe, intelektual i shquar, poet, përkthyes, studiues e polemist. Më 1944 ai dre'tori revistën "Kritika" dhe po këtë vit botoi librin e parë me poezi Lundërtarë. Në SHBA, ku emigroi në vitin 1958, punoi si profesor në disa universitete americane deri sa doli në pension. Si dëshmi e asaj që kishte përjetuar në kampet dhe burgjet komuniste ai botoi në Romë vëllimin me poezi Libri i burgut 1959, dhe më vonë dhe vepra të tjera. Një ndihmesë të jashtëzakonshme Arshi Pipa do të japë dhe në studimet letrare, sociologjike e politike me vepra të dorës së parë, ku operon me metoda moderne studimi.
Si përfundim, mund të themi, se aktualisht po bëhen përpjekje që të gjitha këto baza dhe këta krahë të shkëputur në kohë dhe në hapësirë të letërsisë shqiptare, të komunikojnë dhe të integrojnë mes vetes për ta përcaktuar dhe krijuar saktësisht nocionin letërsi kombëtare në gjuhën shqipe.

 
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Powered by uCoz " Zef Lush Marku "